Projektligji i ri parashikon super-taksë për pronat dhe ujin e pishinave
Skema e re e taksimit të pasurive sjell ndryshime thelbësore për apartamentet, vilat në bregdet dhe objektet e papërfunduara.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Projektligji që parashikon ndryshimet në skemën e taksimit të pasurive të paluajtshme ka dalë për konsultim publik, duke sjellë një super-taksë për kë mban apartamente bosh, këdo që ka vila në bregdet si dhe një çmim të shumëfishuar për ujin që përdoret për pishinat. Sipas ndryshimeve, në vitin 2026 taksimi i pronave nuk do të bëhet me çmim reference, por me vlerë tregu, duke bërë që vlera e pronës dhe taksa mbi të të jenë më të larta, ndërsa vjelja e kësaj takse do të kryhet përmes faturës së ujit.
Për apartamentet për banim, taksa do të rritet nga 0.1 në 0.2 për qind në varësi të vendimit të Këshillit Bashkiak Vendor, kurse qendrat tregtare, pronat bujqësore dhe ato industriale do të taksohen me 0.15 deri në 0.25 të vlerës së ndërtesës. Personat që nuk i përfundují objektet në afat do të ballafaqohen me një taksë prej 30 për qind të vlerës së pronës. Për zotëruesit e një banese të vetme, vlera e taksës mbetet e njëjtë pavarësisht ndryshimit të skemës dhe zbritjes së gjysmës së pragut të taksimit në 0.1 për qind, por taksimi me vlerën e tregut do të kërkojë shpenzime më të larta se më parë.
Ndryshimet prekin edhe pronarët e dy ose më shumë apartamenteve, ku për banesën e parë taksa nuk ndryshon, kurse për të dytin rritet në segmentin 0.1 deri në 0.2 për qind sipas bashkisë përkatëse. Për ilustrim, një individ që zotëron dy apartamente me vlerë 8 milionë lekë secili do të paguajë 4 mijë lekë për banesën e parë dhe 12 mijë lekë për të dytën.