Vota e diasporës i shton dy mandate LVV-së në Kuvend

Si do t’i sigurojë Vetëvendosja votat për zgjedhjen e presidentit të ri?

Vota e diasporës i shton dy mandate LVV-së në Kuvend
Foto: burimi

PRISHTINË — Numërimi i votave të dërguara me postë nga diaspora ka nisur të ndryshojë rezultatin për Lëvizjen Vetëvendosje. Ndryshe nga votat në përfaqësi diplomatike ku LVV mori 83 për qind, votat me postë tregojnë tjetër trend. Në rreth 40 për qind të numërimit me postë, LVV ka 68.5 për qind.

Sipas projeksioneve të Bleron Baraliut, nëse kjo përqindje e votave me postë mbetet e njëjtë, LVV do të sigurojë 52 mandate në Kuvend. Baraliu shton se nëse ata arrijnë performancë rreth 75 për qind në votat e mbetura, mund të marrin edhe mandatin e 53-të. Aktualisht, KQZ konfirmon se LVV ka 50 mandate.

Ky ndryshim ka prekur edhe partitë opozitare, të cilat kanë humbur nga një ulëse krahasuar met rezultatin preliminar. Partia Demokratike e Kosovës tani projektohet të ketë 23 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të ketë 19 mandate. Të dyja këto subjekte kanë shënuar rënie për një deputet.

Analisti Basri Muja thotë se ky rezultat ia mundëson Vetëvendosjes formimin e Qeverisë me aleatët e deritashëm dhe deputetët joshumicë serbë. Kjo do t’u jepte atyre një shumicë prej 61 deri në 62 deputetësh. Muja thekson se sado që kjo është shumicë e ngushtë, megjithatë mjafton për formimin e Qeverisë.

Nga ana tjetër, profesori i Fakultetit Juridik, Enver Hasani, vlerëson se marrëveshja politike është e domosdoshme për krijimin e institucioneve të reja. Hasani thekson se pa një marrëveshje nuk mund të formohen organet shtetërore. Sipas tij, shkuarja e sërishme në zgjedhje do të ishte fatale për pushtetin aktual.

Përderisa LVV mund ta formojë Qeverinë dhe ta zgjedhë kryeparlamentarin me aleatët, sfida kryesore mbetet zgjedhja e presidentit të ri. Për këtë post Kushtetuta kërkon pjesëmarrjen në votim të së paku 80 deputetëve. Kjo bën që Vetëvendosja të mos ketë mundësi të vendosë e vetme pa votat e opozitës.

Deri më tani, partia në pushtet dhe opozitarët PDK, LDK e AAK nuk kanë treguar nëse kanë gatishmëri për koalicione. LVV nuk është përgjigjur nëse do t’i ftojë partitë e tjera apo do të qeverisë vetëm me pakicat joserbe, duke lënë të hapur të ardhmen e marrëveshjes politike.

Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Pse koalicioni i gjerë po shihet si zgjidhje për ngërçin në Kosovë?
  2. Si e zvarriti Gjykata e Gjakovës një kontest pronësor për më shumë se 40 vjet?
  3. Çfarë parregullsish gjeti Auditori në Ministrinë e Arsimit?
  4. Votat e mërgatës: Mbi dy mijë pako refuzohen nga KQZ-ja

Vazhdo leximin