Çfarë pasojash mund të ketë vendimi i Abdixhikut për formimin e institucioneve të reja?
Profesori Mazllum Baraliu vlerëson se pezullimi i negociatave mes LDK-së dhe LVV-së është një zhvillim me pasoja të ndjeshme për partinë që drejton Lumir Abdixhiku
PRISHTINË — Vendimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për pezullimin e negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve, pas vendimit për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së për votëbesim ndaj tij, po vlerësohet në mënyra të ndryshme nga njohësit e zhvillimeve politike.
Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, vlerëson se pezullimi i negociatave mes LDK-së dhe LVV-së është një zhvillim me pasoja të ndjeshme për partinë që drejton Lumir Abdixhiku. Sipas tij, përplasjet e brendshme në LDK kanë ndikuar në prishjen e një procesi që mund të çonte drejt një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve.
Baraliu thotë se LDK-ja, si një subjekt me traditë të gjatë institucionale, duhet të ruajë stabilitetin e brendshëm dhe unitetin politik, pasi debatet e brendshme dhe grupimet e ndryshme mund të dëmtojnë rolin e saj në skenën politike.
Ai shton se takimet e para mes drejtuesve të LDK-së dhe LVV-së kishin treguar një gatishmëri për dialog dhe për të gjetur një kompromis edhe për çështjen e presidentit. “Mendoj se është diçka jashtëzakonisht e dëmshme për vetë LDK-në, që është një subjekt historik për nga rëndësia dhe aktiviteti institucional.
Një parti institucionaliste që ka dhënë kontributin e vet në dekada. Gatishmëria që pati udhëheqësi i kësaj partie në bisedën e parë që pati me kryetarin e LVV-së, tregon se kishte një gatishmëri për të gjetur një çelës të një marrëveshjeje mbase gjithëpërfshirëse për presidentin dhe për bashkëqeverisje.
Ndërkohë, vlimet e brendshme dhe grupimet, interesat e ndryshme dhe veprimet konceptualisht dalluese brenda grupeve të caktuara, mos edhe ndikimet nga jashtë brenda këtij subjekti, kanë bërë që tani të ketë një situatë ku detyrohet, për hir të respektimit të statutit, kryetari i kësaj partie që të deklarohej se pezullohen çfarëdo forme kontakti dhe bisede lidhur me bashkëqeverisje dhe eventualisht gjetjen e konsensusit për presidentin”, deklaron ai.
Pezullimi i negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje vjen në një periudhë të tensionuar për LDK-në, e cila po përballet me debate të brendshme rreth qëndrimit politik të partisë dhe mënyrës së veprimit pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Më 15 korrik u dorëzuan rreth 150 nënshkrime të delegatëve të LDK-së për thirrjen e Kuvendit të kësaj partie për votëbesimin ndaj Abdixhikut. Në arsyetimin e shkresës së LDK-së ishin edhe, siç thuhet, rezultatet e dobëta në zgjedhjet e 7 qershorit.
Burim: Lajmi.net
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.