Vazhdo leximin
e shtunë, 17 tetor 2026 Ne bëjmë zhurmë
ZHURMA
⌕ ☆

Turizmi ndryshon shportën e konsumit ndërsa vendasit dominojnë me oriz e makarona

Ardhja e turistëve ka sjellë rritje të kërkesës për ushqime të gatshme dhe pije, ndërsa konsumatori vendas vijon të dominojë te produktet bazë.

Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim

Turizmi ka ndryshuar peshën e konsumit për produktet e shportës ushqimore, ndonëse nuk e zëvendëson emigracionin. Makaronat dhe orizi mbeten produktet me peshën më të lartë të konsumit te shporta ushqimore për vendasit, të ndikuara edhe nga produktet e freskëta sezonale të bulmetit dhe mishit, sipas drejtuesve të supermarketeve dhe distributorëve për rrjetin retail. Nga ana tjetër, ardhja e vizitorëve të huaj ka rritur kërkesën për produkte të gatshme, snack-e, pije freskuese dhe alkoolike.

Turizmi ndryshon shportën e konsumit ndërsa vendasit dominojnë me oriz e makarona
Foto: javanews.al

Sipas të dhënave të Doganave për periudhën janar-gusht, produktet e makaronave dhe orizit kanë regjistruar sasinë më të lartë të importeve për gati një dekadë. Për këtë periudhë u importua një sasi prej rreth 14 milionë kg makarona, duke shënuar një rritje prej 7% në sasi dhe 2% në vlerë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Të dhënat tregojnë se sasia e makaronave të importuara është ndër nivelet më të larta të regjistruara për 9 vitet e fundit, me një rritje prej rreth 5% në raport me vitin. Ndërkohë, në Shqipëri u importuan rreth 15.4 milionë kg oriz, me një rritje prej 9% në sasi, ndërsa në vlerë importet e orizit shënuan një rënie prej rreth 5% krahasuar me periudhën e mëparshme.

Në vend kanë hyrë 7 milionë shtetas të huaj për periudhën janar-korrik, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, çka përbën një rritje prej 6.4% krahasuar me të njëjtën periudhë. Muaji korrik regjistroi numrin më të lartë të shtetasve të huaj në dekadën e fundit me 1.9 milionë hyrje, nga 1.8 milionë në korrik, duke shënuar një rritje prej 7.1%. Drejtuesit e supermarketeve vërejnë se turistët orientohen drejt produkteve të konsumit të menjëhershëm, ujit, pijeve, produkteve të freskëta, snack-eve, artikujve për mëngjes, fruta-perimeve, produkteve lokale dhe formateve për qëndrime të shkurtra. Me përfundimin e sezonit turistik, tendenca rikthehet te produktet elementare, ndërsa kërkesa për ushqim të gatshëm zëvendësohet nga kërkesa e fëmijëve për ushqim shkolle.

Emigracioni dhe rritja e çmimeve vijojnë të ndikojnë te pakësimi i kërkesës nga konsumatori vendas. Kategoritë si orizi, makaronat, vaji i lulediellit, sheqeri dhe mielli kanë ndjeshmëri të lartë ndaj çmimit dhe aktiviteteve promocionale, kurse te bulmeti, vezët, mishi i pulës dhe sallamet rëndësi marrin freskia, cilësia, origjina dhe raporti çmim-cilësi.

Lexo edhe

Më shumë →
Facebook WhatsApp X
LIVE Brod, Dragash 27 kamera →