Mbi 15 filiale bankash të dëmtuara gjatë protestave
Ministrja Delina Ibrahimaj deklaroi se mbi 15 filiale bankash u dëmtuan nga dhuna, por garantoi se depozitat e qytetarëve janë të sigurta.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Gjatë protestave të dhunshme të ditëve të fundit në vend, mbi 15 filiale bankash të nivelit të dytë janë dëmtuar dhe shkatërruar, duke prekur ambientet ku qytetarët marrin pagat, kryejnë transaksione dhe paguajnë faturat. Kjo situatë ka sjellë ndërprerjen e shërbimeve dhe pamundësinë e përditshme të tyre për qytetarët, të cilët po presin në radhë jashtë bankave të bllokuara.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vizitoi nga afër një filial banke të dëmtuar dhe u shpreh se «Janë mbi 15 filiale bankash, të cilat janë goditur nga dhuna e ditëve të kaluara. Aty ku marrin pagat, aty ku kryhen transaksione, paguajmë faturat. Në jetën tonë të përditshme ne i drejtohemi shërbimeve që bankat ofrojnë». Ajo akuzoi organizatorët e akteve të dhunës se synojnë të përhapin panik dhe të destabilizojnë ekonominë, ndërsa solli në vëmendje skemën e firmave piramidale të vitit 1997, duke shtuar se përpjekjet e tyre nuk do të kenë sukses. Njëkohësisht, ministrja garantoi se «Unë dua t’i siguroj të gjithë shqiptarët që depozitat e tyre janë të sigurta. Depozitat nuk qëndrojnë nëpër sirtarë të degëve të bankave. Ato janë në një sistem financiar të shëndoshë, i cili është i mbikëqyrur dhe i mirëkapitalizuar».
Nga ana e tyre, bizneset dhe punonjësit e sigurimit të bankave të dëmtuara u shprehën se mbrojtja dhe reagimi i Policisë ndaj tyre ka qenë minimal, për të mos thënë inekzistent. Ata treguan se gjatë dëmtimeve kanë njoftuar Policinë e Shtetit dhe kanë shtypur butonin e panikut, por ndihma nuk ka mbërritur dhe nuk patur prani të policisë, duke mbetur vetëm me mbrojtjen e kompanive private të sigurisë, pasi gjithçka ishte thyer. Si pasojë e kësaj situate, shërbimet bankare kanë kufizuar numrin e degëve, ndërsa bizneset kanë kërkuar mbrojtje dhe prezencë të shtuar të policisë për shkak të dëmeve të pësuara.