Kolona të gjata në pikën kufitare të Morinës gjatë së shtunës
Kolona automjetesh janë krijuar në pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa zyrtarët po ushtrojnë kontrolle.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kolona të gjata automjetesh janë krijuar në pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku të gjitha automjetet po i nënshtrohen kontrollit nga zyrtarët kufitarë. Në disa raste po kryhen kontrolle edhe të vetë automjeteve. Ndonëse nga zyrtarët nuk janë dhënë informacione zyrtare, masa të tilla mund të jenë marrë për shkak të protestave të dhunshme që po zhvillohen prej pesë ditësh në Shqipëri.
Nxënës e studentë po protestojnë për të pestën ditë radhazi, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke kundërshtuar rritjen e kostove të arsimit dhe korrupsionin. Protestat, të nisura para Ministrisë së Arsimit, kanë përshkallëzuar në përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë, ku janë hedhur gurë e gjësende drejt objekteve publike e private, duke dëmtuar disa prej tyre. Mbi 150 të rinj janë arrestuar gjatë katër ditëve, ndërsa dy të rinj nga Kosova u arrestuan si pjesëmarrës në aktet e dhunës në Tiranë, të cilët deklaruan se kishin ardhur nga Prishtina për të protestuar kundër qeverisë shqiptare. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të largohet nga detyra.