Tri institucione flasin për vdekjen e 43-vjeçares nga Klina
Detaje nga QKMF-ja, Policia dhe Spitali i Pejës për rastin e rëndë të 13 nëntorit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Një grua ka ndërruar jetë më 13 nëntor pasi kishte marrë trajtim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjar “Nënë Tereza” në Klinë dhe ishte dërguar drejt Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Sipas QKMF-së, pacientja kishte marrë shërbim te mjeku infektolog dhe kishte shfaqur reaksion alergjik menjëherë pas fillimit të terapisë me infuzion. Ajo ishte dërguar në urgjencë për trajtim dhe më pas ishte nisur me autoambulancë drejt Pejës, e shoqëruar nga një mjek dhe një infermier, ndërsa gjatë rrugës ishte kryer reanimim kardiopulmonar.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka konfirmuar se pacientja është sjellë në Emergjencë rreth orës 14:20 pa shenja jete, dhe pavarësisht përpjekjeve maksimale të ekipit mjekësor, nuk është arritur rikthimi i shenjave vitale. Policia e Kosovës e ka regjistruar ngjarjen si hetim i vdekjes, ndërsa në konsultim me prokurorin, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion për të zbardhur shkakun e saktë të vdekjes.