Trepça luan në Gjermani, Bashkimi përballet me Korfezin në Turqi
Skuadrat kosovare të basketbollit, Trepça dhe Bashkimi, zhvillojnë ndeshjet e radhës në FIBA Europe Cup kundër ekipeve nga Gjermania dhe Turqia.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Kampionja e Kosovës në basketboll, Trepça, luan në Trier të Gjermanisë ndaj Gladiators Trier në kuadër të Grupit A të FIBA Europe Cup, me ndeshjen që nis në ora 20:00. Mitrovicasit synojnë suksesin pas tri fitoreve radhazi, ndërsa gjermanët udhëheqin grupin me katër fitore nga po aq ndeshje dhe tetë pikë gjithsej. Nëse triumfon në tokën gjermane, skuadra nga Mitrovica bën hap të madh drejt kalimit në fazën e dytë, ku kualifikohen dy vendet e para. Klubi ka bërë të ditur përmes një shkrimi se «Trepça nuk udhëton kurrë vetëm. Edhe kësaj radhe do ta kemi mbështetjen e bashkatdhetarëve tanë, të cilët na qëndrojnë pranë kudo që luajmë».
Në rrafshin evropian paraqitet edhe Bashkimi i Prizrenit, i cili përballet në Kocaeli të Turqisë me skuadrën turke Korfez në kuadër të Grupit F. Ekipi prizrenas ka regjistruar një fitore dhe dy humbje, ndërsa po përballet me mungesa për shkak të lëndimeve dhe ka një ndeshje më pak për shkak të problemeve me vizat e Britanisë së Madhe, ku duelur e shtyrë ndaj Manchesterit do të luhet më 2 dhjetor. Vendasit e Korfezit kryesojnë grupin me tri fitore dhe një humbje, kurse Bashkimi kërkon rezultat pozitiv nga ky udhëtim i vështirë.