Çfarë simbolizon murali "Çast" për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Therandë?
Pse e quajti Haxhiu këtë çështje "prag" mes kujtesës dhe përgjegjësisë institucionale?
THERANDË — Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të muralit "Çast" në Therandë, një vepër kushtuar të mbijetuarve dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në fjalën e saj, Haxhiu theksoi se muret e qyteteve të Kosovës kanë qenë historikisht hapësira ku janë shprehur kërkesat për liri, drejtësi dhe kujtesë kolektive. "Në qytetet e Kosovës, shumë gjëra së pari janë shfaqur në mure. Thirrjet për protesta, parullat 'Kosova Republikë', fotografitë e të zhdukurve, poezi. Muret e qyteteve tonë kanë qenë shenjë se ky vend ende merr frymë", deklaroi ajo.
Duke folur për simbolikën e muralit, Haxhiu theksoi se "Çast" përfaqëson një thirrje për kujtesë dhe përgjegjësi shoqërore. "Murali 'Çast' i kushtohet të mbijetuarve dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Edhe sot, para këtij murali, fjala 'Çast' nuk na fton të mendojmë vetëm për një moment të kaluar. Na vendos në një prag: nga njëra anë kujtesa e një krimi që nuk duhet mbuluar asnjëherë; nga ana tjetër përgjegjësia jonë për drejtësi, për dinjitet dhe për përkujdesje shtetërore".
Haxhiu nënvizoi se trajtimi i kësaj çështjeje nuk mund të kufizohet vetëm në përkujtimin e luftës, por duhet të jetë pjesë e angazhimit institucional. "Republika jonë nuk mund ta shohë këtë çështje vetëm si një kujtim të luftës. Është edhe çështje e drejtësisë, e shëndetit, e dinjitetit, e mënyrës si funksionojnë institucionet e Republikës së Kosovës. Por, është edhe çështje e mënyrës se si sillet familja, si sillet lagjja ndaj këtij krimi, mediat po ashtu, shkollat, institucionet e drejtësisë dhe përfundimisht zyrtarët e Republikës së Kosovës".
Sipas Haxhiut, drejtësia fillon që në momentin kur të mbijetuarit dëgjohen dhe trajtohen me dinjitet. "Drejtësia nuk nis vetëm kur jepet një aktgjykim, nis edhe në zyrën ku i mbijetuari dëgjohet pa dyshim, ku privatësia ruhet dhe ku shteti i bëhet mbështetje".
Në këtë kuadër, Haxhiu bëri të ditur se ka emëruar Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani si të dërguara të posaçme për këtë çështje. "Ato po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për ta mbajtur të gjallë kërkesën për drejtësi dhe për t'i dhënë kësaj çështjeje vendin që i takon në ndërgjegjen publike të Kosovës". Gjithashtu, në Presidencë është hapur Zyra për Mbështetjen e të Mbijetuarave dhe të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës.
Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për ish-presidenten Atifete Jahjaga dhe Fondacionin Jahjaga. "E nderuar Presidente Jahjaga, ju dhe Fondacioni Jahjaga për vite me radhë e keni mbajtur të vërtetën e personave të dhunuar gjatë luftës aty ku shpesh të tjerët kanë ngurruar ose kanë hezituar që ta çojnë", tha ajo.
Në përmbyllje, Haxhiu vlerësoi se murali "Çast" është një nderim dhe një kujtesë e përhershme. "Ky mural është nderim për personat e dhunuar gjatë luftës, mirënjohje për ata që kanë folur dhe kujtesë për ne të tjerët se kjo e vërtetë nuk mund të mbahet më në skaj të ndërgjegjes publike. Prej sot, ky mur nuk është vetëm një pjesë në një lagje në këtë komunë, është pjesë e kujtesës sonë. Kush kalon pranë tij, le ta dijë se këtu nderohen njerëz që nuk duhet të ishin lënë kurrë vetëm", përfundoi Haxhiu.
Burim: Ekonomia Online
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.