Tensionet në Tiranë, protestuesit futen në Bashki pas thyerjes së derës
Protesta e studentëve në Tiranë është përshkallëzuar me zhvendosjen e tubimit drejt Bashkisë së Tiranës, ku protestuesit kanë thyer derën dhe janë futur brenda godinës.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
TIRANË — Protesta e zhvilluar nga studentët është shoqëruar me incidente të shumta, përplasje dhe ndërhyrje të policisë. Tubimi, i cili nisi para Ministrisë së Arsimit, u përshkallëzua me hedhje vezësh, përdorim spreji në muret e godinës, si dhe shkulje të kangjellave metalike e tullave nga trotuari që u hodhën në drejtim të ndërtesës, duke thyer xhamat e dritareve. Protestuesit kaluan brenda rrethimit të Ministrisë së Arsimit, ku u dëgjuan thirrje për të djegur godinën, ndërsa u hodhën edhe flakadanë dhe u tentua shyerja e derës së hekurt.
Forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës, autobotë me ujë, shkopinj gome dhe krijuan një kordon përpara godinës, ndërsa u raportua për 23 persona të arrestuar, disa efektivë policie të lënduar dhe dy gazetare të lënduara. Gjatë tensioneve, grupe protestuesish u shpërndanë, u rigrumbulluan, hodhën shashka, sende të forta dhe shkulën kangjella për të penguar kalimin e autobotëve të policisë. Një pjesë e tyre u zhvendosën drejt Sheshit «Skënderbej», hyrjes së Rrugës së Durrësit, «Rrugës së Dibrës» dhe zonës pranë «Pazarit të Ri», duke ndezur vatra zjarri, shkatërruar një biznes privat, semaforë dhe duke vënë flakën koshave të mbeturinave.
Më pas, protestuesit u zhvendosën drejt Bashkisë së Tiranës, ku u përqendruan para godinës, hodhën sende të ndryshme dhe kapsolla. Sipas raportimeve nga terreni, protestuesit kanë hedhur gurë drejt derës së godinës, kanë arritur ta thyejnë atë dhe disa prej tyre janë futur brenda në godinë, ndërsa menjëherë më pas ka mbërritur aty policia dhe ka nisur me arrestimet.