Të dhënat: Vetëm 1 në 3 emigrantë të rikthyer janë punësuar
Raporti tregon se në vitin 2025 rreth 400 persona të rikthyer iu drejtuan zyrave të punës.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Gjatë periudhës dhjetëvjeçare nga 2013 deri në 2023, nga Shqipëria janë larguar 109 mijë shtetas, ndërsa Italia, Greqia dhe Gjermania vazhdojnë të mbeten destinacionet kryesore të emigrantëve shqiptarë. Gjatë vitit 2025, 400 persona të rikthyer janë drejtuar në zyrat e punës, ku vetëm një e treta e tyre kanë arritur të punësohen, ndërsa pjesa tjetër është udhëzuar drejt programeve të formimit profesional për t'u përshtatur me tregun vendas.
Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj tha se «kemi një shifër aspak premtuese të formalizimit në instrumente zyrtare të punësimit dhe një pjesë e tyre janë të vetëpunësuar», duke shtuar se kjo lidhet me kushtet, pagat, strehimin dhe mënyrën se si individi e sheh perspektivën. Nga ana e saj, sociologia Eris Dhamo u shpreh se «të rikthyerit vijnë nga disa kultura të ndryshme dhe duhet të dimë arsyen përse vijnë», duke theksuar se tregu në vend është pak i kualifikuar dhe me kërkesa të përgjithshme.
Ekspertët kërkojnë vëmendje të veçantë për të shmangur një emigracion të dytë. Gjokutaj deklaroi se «është e rëndësishme që të mbahet kjo fuqi migratore», pasi ata kontribuojnë në skemën e pensioneve dhe tatimet, ndërsa paralajmëroi se një ikje e dytë është më e rrezikshme pasi emigranti nuk kthehet më.