Suspendimi i tre policëve të dyshuar për ngacmim në Prishtinë
Tre zyrtarë policorë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë janë suspenduar pasi dyshohen për ngacmim dhe kontroll të kundërligjshëm.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Tre zyrtarë policorë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë janë suspenduar nga detyra pasi dyshohen se janë përfshirë në një rast penal të ngacmimit dhe kontrollit të kundërligjshëm, i cili dyshohet se ka ndodhur më 15 tetor 2026.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka trajtuar vetë informacionet fillestare dhe ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës, me të cilët është koordinuar për sigurimin dhe dokumentimin e provave relevante. Sipas Policisë, janë siguruar dhe i janë dorëzuar Inspektoratit Policor provat dhe informacionet e kërkuara për trajtimin e mëtutjeshëm të rastit, ndërsa pala ankuese është udhëzuar të paraqitet në këtë institucion për të dhënë deklaratën para zyrtarëve të hetimeve.
Pas shqyrtimit të informacioneve dhe provave të siguruara, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, vendim ky që është zbatuar nga menaxhmenti i Policisë së Kosovës.