Matt Nadin futet në tunelet e Njësive Speciale në Vrellë dhe filmon pamjet
Një shtetas i huaj ka depërtuar pa pengesa në kampin e Njësive Speciale të Policisë në Vrellë dhe ka publikuar pamjet.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Youtuberi nga Anglia, Matt Nadin, ka arritur të futet pa leje dhe pa u penguar në kampin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë të Fushë-Kosovës, ku ka filmuar hapësirat e këtij objekti të ndjeshëm sigurie. Sipas pamjeve të publikuara në platformën YouTube, ai ka kaluar lehtësisht pranë hapësirave të ushtrimeve, është afruar te mjete të rrezikshme duke përfshirë kokteje molotovi, si dhe ka arritur deri te pjesa e pasme dhe tuneli i kampit pa u përballur me ndonjë roje, kontroll hyrjeje apo mbikëqyrje.
Gjatë lëvizjes së tij brenda hapësirave të kampit, Nadin ka kapur gjithashtu pajisje dhe mjete të konfiskuara nga Policia e Kosovës, uniforma të tyre, si dhe ka shfaqur shtegun përmes të cilit pretendohet se ka hyrë në këtë zonë. Rasti ka ngritur shqetësime serioze për masat e sigurisë dhe kontrollin e qasjes në infrastrukturën e ndjeshme të sigurisë në vend.
Në lidhje me këtë çështje, është rikujtuar se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më parë ishte pyetur për kampet e njësive speciale dhe kishte deklaruar se nuk mund të jepte informacione që konsiderohen konfidenciale, duke thënë: «Unë nuk e kam ndërmend të deklarohem për çështje të cilat janë çështje konfidenciale, brenda për brenda Policisë së Kosovës».