Çfarë synon 'Super e marta' e zgjerimit?
Mali i Zi dhe Shqipëria përparojnë në negociata me Bashkimin Evropian, duke mbyllur përkohësisht më shumë se gjysmën e kapitujve negociues
— Bruksel, 14 korrik 2026 — Sot në Bruksel, Mali i Zi do të kalojë një tjetër etapë në negociatat me Bashkimin Evropian, duke mbyllur përkohësisht më shumë se gjysmën e kapitujve negociues. Shqipëria do të mbyllë për herë të parë kapituj negociues, ndërsa Ukraina dhe Moldavia do të hapin secila nga një klaster të ri negociatash.
E njohur jozyrtarisht si “Super e marta”, kjo ditë shënon organizimin e numrit më të madh të konferencave ndërqeveritare në më shumë se dy dekada. Ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Thomas Byrne, tha se kemi pasur një periudhë me angazhim shumë intensiv dhe të rëndësishëm për zgjerimin, ndërsa këtë ditë e shohim si një moment vërtet të rëndësishëm në këtë proces.
Mali i Zi do të mbyllë përkohësisht dy kapituj negociues, duke e çuar në 18 numrin e kapitujve të mbyllur nga gjithsej 33 në procesin e negociatave me BE-në. Shqipëria, e cila konsiderohet vendi i dytë më i avancuar në procesin e zgjerimit, do të mbyllë për herë të parë tre kapituj negociues.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se ky është një moment historik për Shqipërinë, e cila po nis mbylljen e kapitujve negociues. Megjithatë, mbetet ende shumë punë për t’u bërë, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
Gjatë ditës, secili delegacion do të zhvillojë takime të veçanta me përfaqësuesit e BE-së. Shqipëria synon t’i përfundojë negociatat për anëtarësim deri në fund të vitit 2027, ndërsa Irlanda vlerëson se Mali i Zi mund ta mbyllë këtë proces deri në fund të këtij viti.
Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo aplikoi për anëtarësim në fund të vitit 2022, por kërkesa e saj ende nuk është shqyrtuar.
Burim: Illyria, https://www.illyria.com/super-e-marta-e-zgjerimit-mali-i-zi-dhe-shqiperia-perparojne-ne-negociata/
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.