Blerina Matraku: Pagova 10 mijë euro për album dhe u tradhtova
Këngëtarja tregon detaje nga marrëdhënia me Adi Hilën dhe kamerat në shtëpi.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Këngëtarja Blerina Matraku ka ndarë detaje të reja nga marrëdhënia e saj e mëparshme me kompozitorin Adi Hila, gjatë një paraqitjeje televizive në emisionin «Goca dhe Gra». Ajo ka rrëfyer se i kishte besuar plotësisht dhe se nuk kishte qenë në dijeni për praninë e kamerave të sigurisë në banesë. Sipas saj, ajo kishte dijeni vetëm për ekzistencën e një sistemi alarmi, por jo për kamera, ndërsa shtoi se po ta dinte, do ta kuptonte se ato mund të vëzhgoheshin edhe nga një vend tjetër. Matraku theksoi se në atë periudhë kishte pasur vjedhje.
Gjatë rrëfimit të saj, artistja u shpreh se ndjenjat e saj kishin qenë të sinqerta, të pastra dhe të çiltra, duke e konsideruar kompozitorin mes njerëzve më të besuar, pas Zotit dhe familjes, e përpara vetes. Ajo shtoi se kishte dashur ta bënte të lumtur dhe t'i qëndronte pranë për t'i lehtësuar ngarkesat profesionale. Matraku sqaroi se në atë periudhë mendonte se ai ishte i ndarë dhe se u largua sapo mësoi se kjo nuk qëndronte, duke theksuar se nuk dëshironte të jepte më shumë hollësi për të mos prekur një familje.
Ndërkohë, sa i takon aspektit artistik dhe financiar, ajo tregoi se në vitin 2007 i pati propozuar kompozitorit realizimin e një albumi dhe i kishte paguar 10 mijë euro. Këtë shumë ajo e kishte siguruar përmes angazhimeve në evente, dasma, si dhe nga puna e saj si stjuardesë, ndërsa për shkak se vlera kishte qenë e konsiderueshme, kishte marrë edhe ndihmë nga miqtë e saj.