SR-KEK organizon transportin për protestën e punëtorëve të enjten
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike njofton se protesta e thirrur për pakënaqësi me pagat do të mbahet të enjten, më 12 nëntor, duke siguruar edhe linjat e udhëtimit.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Protesta e paralajmëruar nga punëtorët për shkak të pakënaqësive me pagat dhe kërkesat e papërmbushura nga menaxhmenti do të mbahet të enjten, më 12 nëntor, duke filluar nga ora 11:00. Për pjesëmarrjen e punonjësve, Sindikata e Re e Korporatës Energjetike ka njoftuar organizimin e transportit në disa linja dhe lokacione të ndryshme, përfshirë Prishtinën, Obiliqin, Mirashin, Grabovcin, Bardhin, Hajvalinë, Fabrikën Palaj dhe njësi të ndryshme të korporatës.
Sipas njoftimit të sindikalistëve, nisja e mjeteve të transportit do të bëhet në dy orare të ndryshme, në orën 10:00 dhe 10:15, ndërsa kthimi është planifikuar për në orën 12:00. Duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive dhe duke theksuar rëndësinë e bashkimit për realizimin e kërkesave, sindikata ka përcjellë mesazhin se punëtorët janë «Bashkë, të bashkuar dhe të vendosur për kërkesat tona!».