Spitali i Prizrenit nis trajtimin e infarktit me PCI, 16 pacientë të shëruar
Spitali i Përgjithshëm në Prizren ka filluar për herë të parë trajtimin e infarktit akut të miokardit përmes intervenimeve koronare perkutane.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
PRIZREN — Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka shënuar një avancim në fushën e Kardiologjisë Intervenuese, duke nisur për herë të parë trajtimin e infarktit akut të miokardit përmes intervenimeve koronare perkutane, e njohur si PCI. Drejtori i spitalit, Osman Hajdari, ka bërë të ditur se deri më tani 16 pacientë me infarkt akut janë trajtuar me sukses përmes kësaj metode. «Për herë të parë në Spitalin e Përgjithshëm ‘Prim. Dr. Daut Mustafa’ në Prizren, infarkti akut i miokardit trajtohet me ndërhyrje direkte përmes intervenimeve koronare perkutane», ka njoftuar Hajdari.
Krahas rasteve akute, në këtë institucion shëndetësor kanë nisur edhe procedurat elektive të koronarografisë dhe intervenimeve koronare. Sipas drejtorit Hajdari, 10 pacientë të referuar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës kanë kryer koronarografi në Prizren. Ky zhvillim vlerësohet si një hap drejt fuqizimit të kapaciteteve spitalore, decentralizimit të shërbimeve të specializuara dhe përmirësimit të qasjes së pacientëve në trajtim. Hajdari ka vlerësuar kontributin e ekipit të Kardiologjisë Intervenuese dhe profesionistëve të tjerë, duke theksuar se qëllimi mbetet avancimi i shërbimeve dhe ofrimi i kujdesit shëndetësor më afër pacientit.