Skulptori Muntaz Dhrami merr pjesë në festimet e Vlorës
Artisti 90-vjeçar rikthehet pas 54 vitesh te Monumenti i Pavarësisë në Vlorë.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
VLORË — Ceremonia zyrtare e Vlorës për 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë shënoi një prani të veçantë me pjesëmarrjen e skulptorit Muntaz Dhrami, autorit të vetëm ende në jetë të Monumentit të Pavarësisë. Me ftesë të ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, artisti mori pjesë në ngritjen e flamurit, duke shënuar pjesëmarrjen e tij të parë në një ceremoni të tillë që nga inaugurimi i veprës në vitin 1972.
Ky rikthim pranë monumentit 17 metra të lartë e të veshur me bronz erdhi pas 54 vitesh, vepër të cilën Dhrami e krijoi dikur bashkë me kolegët Kristaq Rama dhe Shaban Hadëri. Monumenti, ku në qendër qëndron figura e Ismail Qemalit ndër e të tjerë patriotë e rilindës, u përurua për 60-vjetorin e Pavarësisë. Ministrja Ismaili vlerësoi kontributin e artistit duke shkruar se «brezat që gëzojnë lirinë u kanë borxh kujtesën heronjve të pushkës e të penës, si e vetmja mënyrë që puna, mundi apo gjaku të shpërblehen nga pak çdo ditë, duke jetuar përtej kohëve, përtej jetëve».
I lindur në Gjirokastër, Muntaz Dhrami numërohet ndër emrat kryesorë të skulpturës vendase, ndërkohë që ai njihet gjithashtu si bashkautor i monumentit «Nënë Shqipëri» në Tiranë.


