Si funksiononte skema e SMS-mashtrimit me 150 viktima në Prishtinë?
Autoritetet arrestuan dy persona dhe sekuestruan prova në një operacion kundër mashtrimit bankar përmes mesazheve.
PRISHTINË — Mbi 150 qytetarë vetëm në rajonin e Prishtinës dyshohet se janë mashtruar përmes mesazheve SMS të dërguara në emër të bankave komerciale, ndërsa dëmi i shkaktuar vlerësohet në rreth 50 mijë euro, njoftuan Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës.
Sipas një komunikate të përbashkët, autoritetet kanë realizuar tre urdhër-kontrolle në lokacione të ndryshme, me ndalimin e dy personave të dyshuar për veprën penale "Mashtrimi". Dy persona të tjerë të dyshuar ndodhen në arrati. Gjatë aksionit janë sekuestruar një veturë, disa telefona, sim-kartela dhe fletëpagesa bankare.
Hetimet fillestare dyshojnë se nga dhjetori i vitit 2025, të dyshuarit kanë vepruar në bashkëpunim duke dërguar mesazhe SMS që paraqiteshin si njoftime zyrtare nga NLB Banka, Teb Banka, Raiffesien Bank dhe banka të tjera. Mesazhi përmbante një link ku viktimat kërkohej të fusnin të dhënat bankare, pas së cilës u tërhiqeshin paratë nga llogaritë.
Autoritetet paralajmërojnë se numri i të dëmtuarve dhe vlera e dëmit mund të rriten, pasi pritet paraqitja e rasteve të tjera nga rajone të ndryshme të Kosovës.
Burim: RTV21
— Redaksia ZHURMA