Shtet me ushtrues detyre, cilat janë pasojat e mosformimit të institucioneve
Deputetët e legjislaturës së kaluar mbajtën 60 seanca për ta konstituuar Kuvendin
PRISHTINË — Që nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të datës 9 shkurt më 2025 partitë politike nuk po arrijnë të formojnë institucione të qëndrueshme. Deputetët e legjislaturës së kaluar mbajtën 60 seanca për ta konstituuar Kuvendin, por nuk arritën të kryejnë punët për të cilat u zgjodhën në atë pozitë.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se pasojat janë të mëdha dhe se nëse vazhdohet me ngërçin politik të krijuar, Kosova rrezikon të mbetet edhe pa Gjykatën Kushtetuese. “Kemi edhe shumë institucione të pavaruara të cilat presin qe të zgjidhen nga Kuvendi i republikës që këto institucione mundet shumë lehtë që të jenë jo funksionale nëse veç anëtarëve momental ju skadon afati apo japin dorëheqje apo ndonjë arsye tjetër dhe nuk kemi Kuvend funksional që mund ti emërojë këta anëtarë të rinj”, ka thënë Melos Kolshi- IKD.
Analisti politik Afrim Kasolli thotë se mosfunksionimi i institucioneve me përgjegjësi të plota ndikon edhe në aspektin e raporteve ndërkombëtare, si dhe më shumë në aspektin ekonomik. “Një gjendje që duhet të jetë vetëm kalimtare po shndërrohet në gjendje të vazhdueshme, e dyta janë edhe në planin ndërkombëtar Kosova është pa adresë legjitime sa i përket përfaqësimit ndërkombëtar po i shohim se për shkak të dështimit të institucioneve të Kosovës për t’iu përgjigjur kërkesave dhe kritereve nga bashkimi evropian thuajse deri më tani i kemi humbur 40 milionë euro”, ka thënë Afrim Kasolli – Analist politik.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare u mbajtën më 7 qershor të këtij viti, meqë partitë politike nuk arritën të merren vesh mes vete për zgjidhjen e çështjes së presidentit. Në fillim të muajit gusht është fundi i afatit kushtetues, për konstituimin e Kuvendit, e që më pas i hapet rruga votimit të qeverisë e zgjedhjet së presidentit të ri.
Burim: Gazeta Dukagjini
— Redaksia ZHURMA