Shtëpia e Kulturës në Kamenicë bujt manifestimin për festat e nëntorit
Në Shtëpinë e Kulturës në Kamenicë është mbajtur manifestimi kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindjes së Adem Jasharit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Shtëpia e Kulturës në Kamenicë është bërë nikoqire e manifestimit kulturor dhe artistik «Fëmijët për flamurin», i cili i është kushtuar njëqind e katërmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari. Ngjarja është organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit dhe shkollat fillore «Abdullah Krashnica» në Koretin, «Fan Noli» dhe «Dëshmorët e Kombit» në Kamenicë.
Gjatë fjalës përshëndetëse, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Afrim Dervishi, ka përgëzuar arsimtarët për përkushtimin në përgatitjen e fëmijëve dhe realizimin e këtij organizimi, duke shtuar se fëmijët janë e ardhmja jonë dhe angazhimi i tyre i jep festave atmosferë të bukur festive. Nxënësit kanë shpalosur talentin e tyre përmes recitimeve, këngëve patriotike dhe valleve tradicionale shqiptare, duke përcjellë mesazhe të dashurisë për atdheun dhe respektit për historinë.
Aktivitetet e kësaj dite janë përmbyllur gjithashtu me shfaqjen e tre filmave të metrazhit të shkurtër, të cilët janë mirëpritur nga adhuruesit e filmave. Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur se përmes këtyre ngjarjeve vazhdon të promovojë vlerat kombëtare dhe kulturore te brezat e rinj.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar


