Shqipëria renditet ndër destinacionet më të favorshme pa vizë për 2026-ën
Media amerikane “Travelbinger” përmend Shqipërinë si një nga vendet me politikat më bujare të hyrjes për shtetasit amerikanë, me qëndrim deri në 365 ditë pa vizë.
Media amerikane “Travelbinger” ka renditur Shqipërinë mes destinacioneve më të favorshme për udhëtime pa vizë në 2026-ën, sipas një artikulli të autorit Marcel Kuhn.
Shqipëria përmendet si një nga vendet me politikat më bujare të hyrjes, veçanërisht për shtetasit amerikanë, të cilëve u lejohet qëndrimi deri në 365 ditë pa vizë.
Artikulli vë në dukje se, ndërsa rregullat e udhëtimit po bëhen më të ndërlikuara në shumë vende, disa shtete vijojnë të ofrojnë mundësi të favorshme për vizitorët që duan të hyjnë pa vizë.
Gjithashtu, theksohet se Shqipëria nuk është ende një destinacion i famshëm turistik ndërkombëtar sa Italia apo Greqia, por ofron një mundësi që asnjëra prej këtyre vendeve nuk mund ta ofrojë në të njëjtën masë.