Serbët nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë Kurtin
Dy persona nga Mali i Zi të përfshirë në konfliktin në Ukrainë shfaqen në një video nacionaliste duke përmendur kryeministrin e Kosovës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Një video me përmbajtje nacionaliste është publikuar nga dy persona që prezantohen si serbë nga Mali i Zi dhe që dyshohet se marrin pjesë në luftën në Ukrainë në krahun e Rusisë. Gjatë këtij incizimi, ata kanë lëshuar deklarata të ashpra, duke përmendur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe duke aluduar për një kthim të mundshëm në Kosovë.
Në pamjet e shpërndara, personat në fjalë shfaqen duke mbështetur ish-presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ndërsa lëshojnë akuza ndaj kundërshtarëve të tij politikë se gjoja mbështeten nga armiqtë e popullit serb. Në nisje të videos, ata shprehin përshëndetje të veçanta për popullin serb në Kosovë, duke vënë theksin te Banjska. «Dy vëllezër nga Mali i Zi, dy serbë. Duhet t’i përshëndesim vëllezërit tanë nga Kosova dhe Metohia, popullin serb nga Banjska. Përshëndetje të mëdha për vëllezërit», thonë ata ndër të tjera.
Sipas informacioneve të bëra publike, grupi nacionalist serb i njohur si «Srpski Inat» dyshohet se drejtohet nga individë me origjinë nga Banjska e Zveçanit.