Sean “Diddy” Combs dërgohet në spital pas një lëndimi në qeli
Reperi amerikan u transferua përkohësisht për trajtim mjekësor pasi goditi kokën në krevatin e burgut federal.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Reperi amerikan Sean “Diddy” Combs ka përfunduar përkohësisht në spital gjatë vuajtjes së dënimit, pasi ka goditur kokën në krevatin dykatësh të qelisë. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e burgut federal FCI Fort Dix, ndërsa dëmtimi nuk paraqiste rrezik për jetën dhe ishte i lehtë.
Ai është kthyer sërish në burg disa orë më vonë, i vetëdijshëm dhe në gjendje të fliste. Lidhur me rastin, përfaqësuesi i tij ka thënë se po përpiqej të konfirmonte rrethanat e incidentit, duke shtuar se «shëndeti dhe mirëqenia e Seanit janë shqetësimi ynë kryesor».
Ky zhvillim pason pretendimet e ngritura nga disa raportime rreth mënyrës së jetesës së tij prapa grilave, përfshirë shpenzime mujore për shërbime të ndryshme nga të burgosurit e tjerë, si dhe sigurimin e paligjshëm të një telefoni celular dhe alkooli. Ndërkohë, ai po vuan dënimin e dhënë më herët dhe mbetet në pritje të vendimit lidhur me çështjen e apelimit.