Sa i plotë është suksesi i Shqipërisë në indeksin global të mjedisit?
Raporti EPI e nxjerr të 46-ën në botë, por Shqipëria bie e 138-ta për ujërat e ndotura dhe e 158-ta në bujqësi.
TIRANË — Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor sipas Indeksit të Performancës Mjedisore (EPI) 2026, në pozicionin e 46-të globalisht nga 177 vende. Por leximi i plotë i raportit zbulon një panoramë më komplekse sesa mesazhi zyrtar i transmetuar në Facebook.
EPI, publikuar nga universitetet Yale dhe Columbia, vlerëson performancën mjedisore të 177 vendeve përmes 58 treguesve, të ndarë në 11 kategori. Shqipëria performon më mirë se fqinjët e Ballkanit, por në klasifikimin rajonal renditet e 14-ta mes 19 shteteve të Evropës Lindore, ndërkohë Estonia mban vendin e parë.
Brenda të njëjtit raport, Shqipëria tregon dobësi të konsiderueshme në sektorë mjedisore kritikë. Në treguesin e trajtimit të ujërave të ndotura, Shqipëria renditet e 138-ta në botë, rezultat që pasqyron problemet e vazhdueshme me infrastrukturën e kanalizimeve dhe menaxhimin e ujërave të ndotura.
Në kategorinë e bujqësisë vendi renditet i 158-ti, ndërsa në peshkim i 127-ti. Për biodiversitetin renditet i 91-ti, për vitalitetin e ekosistemeve i 104-ti, ndërsa në cilësinë e ajrit Shqipëria renditet e 88-ta. Këta tregues shfaqin presion të vazhdueshëm mbi burimet natyrore dhe ndotje urbane.
Taulant Bino, drejtues i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare, tha se rezultatet e EPI nuk mund të lexohen të shkëputura nga realiteti i politikave mjedisore në vend. "Lavdërimet nuk vlejnë për sa kohë nuk anulohet projekti i Zvërnecit, nuk bëhet transparencë mbi këtë projekt, nuk vendoset moratorium mbi nisma të ngjashme ndërtimi apo turizmi në zona të mbrojtura," tha Bino.
Bino shton se kërkesat mjedisore të protestës kanë qenë të qarta nga dita e parë, por deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë hap për përmbushjen e tyre. Për të përmirësuar pozicionin e vendit, sipas tij, Shqipëria duhet të ketë një politikë serioze mjedisore e bazuar në respektimin e kërkesave të protestës popullore.
Renditja aktuale nuk është më e larta në historinë e EPI-së. Vendi është renditur i 15-ti në 2012, i 23-ti në 2010, i 27-ti në 2008 dhe i 40-ti në 2018. Krahasimet ndërmjet viteve duhen bërë me kujdes, pasi vetë EPI ndryshon metodologjinë, treguesit dhe burimet e të dhënave nga një raport në tjetrin.
Burim: Citizens Channel
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.