Sa gjedhe humbi Kosova në katër vitet e fundit?
Bagëtia kosovare u pakësua nga 261.391 në 240.848 krerë brenda katër vitesh, ndërsa fermerët kërkojnë mbështetje nga shteti për të mbrojtur prodhimin vendor.
PRISHTINË — Kosova ka humbur 20.543 krerë gjedhe brenda katër vjetësh, nga 261.391 sa kishte në 2020 në 240.848 në 2024 — një rënie prej rreth 7.9 për qind, sipas të dhënave më të fundit të Raportit të Gjelbër 2025 të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Lajmi vjen ndërsa dhjetëra fermerë protestuan të hënën përpara Ministrisë së Bujqësisë, duke derdhur revoltativisht qindra litra qumësht në rrugë. Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit kërkoi rikthimin e grumbullimit të qumështit, katër ditë pas mbylljes së përkohshme të qumështores 'Vita' nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Prodhimi vendor i qumështit vlerësohet në rreth 270 milionë litra në vit, por Kosova vazhdon të importojë 30-40 për qind të nevojave të saj. Fondi i gjedheve vazhdoi të bjerë edhe në 2024, me 2.7 për qind krahasuar me vitin paraprak — vazhdim i një trendi rënës prej pesë vjetësh: 260.528 gjedhe në 2021, 250.899 në 2022 dhe 247.493 në 2023.
Në fundmajin e këtij viti, çmimi i qumështit ra nga 48 centë në 27-30 cent për litër në shumë pika grumbullimi. "Shitja e litrës së qumështit nën 30 cent është padrejtësi dhe shfrytëzim," kishte thënë Albin Kurti tri javë para zgjedhjeve të shkurtit 2021, në një vizitë në fermën e fshatit Tërdec të Drenasit.
Vetëvendosja i bëri atëherë mbulim të pazakontë asaj vizite, duke premtuar se Ministria e Bujqësisë do t'u shërbente prodhuesve e jo mbështetësve partiakë, dhe se tregu do të sigurohej.
Kurti kishte edhe një ide tjetër për bujqësinë: një shujtë e një gotë qumësht për nxënësit, program që kryetari Shpend Ahmeti e nisi në Prishtinë pas fitores së Vetëvendosjes më 2013. Programi u braktis pas përfundimit të mandatit të tij dhe mbeti kujtim i largët.
"Pa fermerë nuk ka të ardhme," thonë organizatorët e protestës. Tani, me konsolidimin e institucioneve të reja dhe mandatin e tretë të Kurtit, shifrat tregojnë se premtimet e vjetra për qumështin vendor ende presin të mbahen.
Burim: Nacionale
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.