Gazeta popullore shqiptare Abonohu falas →
Ne bëjmë zhurmë 📣
E Martë · 28 Korrik 2026 ● Lajmi i fundit
Lajm

Rita Ora: nga refugjate e Kosovës në vitet '90 te yll muzike global

Familja e saj la Prishtinën në fillim të viteve '90 nga përndjekja; nëna u rikualifikua psikiatre, babai hapi lokal në Londër.

Redaksia ZHURMA + Ruaj
Rita Ora: nga refugjate e Kosovës në vitet '90 te yll muzike global
FOTO · Foto: Oliver Mark - Rita Ora, Berlin 2018 / Wikimedia Commons

LONDËR — Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, 35 vjeçe, ka folur hapur në një intervistë për The Times për rrugëtimin e saj nga fëmijë refugjate nga Kosova në një nga artistet më të njohura në botë, duke thënë se ndihet "krenare" për origjinën e saj si emigrante.

Ora ka kujtuar se familja e saj u largua nga Prishtina në fillim të viteve '90, për shkak të përndjekjes së shqiptarëve në Kosovë. Në Britani, nëna e saj Vera, mjeke me profesion, u rikualifikua si psikiatre, ndërsa babai Besniku, ekonomist, nisi një jetë të re duke menaxhuar një lokal në Londër.

"Gjithçka që di është se jam gjithmonë mirënjohëse për arsimin që kam marrë dhe krenare që jam emigrante", u shpreh këngëtarja. Ajo thotë se shumë emigrantë kanë "një energji të veçantë" dhe ndjesinë se duhet të dëshmojnë veten vazhdimisht, siç ndodh, sipas saj, në historinë e shumë artistëve të mëdhenj.

Duke punuar aktualisht për albumin e saj të katërt dhe e rikthyer së fundmi në filmin e Disneyt "Descendants", Ora tha se do të donte të luante edhe në një film të bashkëshortit të saj, regjisorit Taika Waititi. "Absolutisht. Çuditem që nuk ka ndodhur ende", ka thënë ajo.

Në një intervistë tjetër, për Women's Health UK, Ora zbuloi se ka ngrirë vezët dy herë, në moshën 24 dhe 27 vjeç, pas këshillës së mjekëve. "Ishte këshilla më e mirë që kam marrë", ka thënë ajo, shtuar se tani, në mesin e të tridhjetave, ndihet e qetë duke parë shoqe që përballen me sfida për të mbetur shtatzënë.

Ora dhe Waititi, 50 vjeç e baba i dy vajzave nga martesa e tij e mëparshme, po mendojnë tani seriozisht për të pasur një fëmijë së bashku. Frymëzimin për të kombinuar karrierën me familjen, tha ajo, e gjeti te ish-kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.

Çifti u njoh në vitin 2018 dhe u martua në 2022, vetëm dy muaj pasi vetë Ora i propozoi martesë Waititit gjatë një befasie romantike në një hotel. "Nëse ke një plan B, atëherë nuk je duke u përqendruar te plani A", ka përfunduar këngëtarja.

Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA

Të ngjashme

Diaspora →
● RADIO
104 kanale në zhurma.fm →