Rheinmetall shqyrton anulimin e fabrikës së municioneve në Ukrainë
Kompania gjermane e mbrojtjes thotë se projekti mund të anulohet për shkak të mungesës së përparimit dhe synimit të Kievit për prodhim vendor.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Kompania gjermane e industrisë së mbrojtjes, Rheinmetall, po shqyrton mundësinë e anulimit të projektit për ndërtimin e një fabrike të municioneve të artilerisë në Ukrainë, pas dy vjetësh nga prezantimi i planeve. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Armin Papperger, deklaroi gjatë një prezantimi për investitorët në Hamburg se projekti mund të mos vazhdojë. «Besoj se nuk do të vazhdojmë me këtë projekt, pasi nuk ka pasur përparim nga pala ukrainase. Ata dëshirojnë ta bëjnë këtë vetë», u shpreh ai, duke përmendur synimin e Kievit për të zhvilluar vetë kapacitetet prodhuese.
Projekti ishte paralajmëruar në shkurt të vitit 2024 për prodhimin e predhave të artilerisë të kalibrit 155 milimetra, ndërsa fabrika ishte paraparë të prodhonte rreth 150 mijë predha në vit me synim nisjen e prodhimit gjatë vitit 2026. Zbatimi i tij është shtyrë disa herë për shkak të pengesave burokratike. Ndërkohë, forcat ukrainase përdorin nga një deri në 1.3 milion predha artilerie në vit, me më shumë se gjysma e tyre që prodhohen tashmë në vend.
Mundësia e anulimit nuk nënkupton ndërprerjen e bashkëpunimit, pasi Rheinmetall do të vazhdojë furnizimin e ushtrisë ukrainase përmes programeve të ndihmës ushtarake nga Gjermania, Danimarka dhe Holanda. Papperger përmendi mundësinë e furnizimit me pajisje industriale, si presa të posaçme, dhe municione artilerie me rreze shumë të gjatë veprimi për të cilat Ukraina nuk i posedon të gjitha teknologjitë.



