Rastet e fruthit rrisin interesimin për vaksinimin e fëmijëve
Shtimi i rasteve të fruthit ka ngritur interesimin e prindërve për vaksinimin MRP, ndërsa autoritetet konfirmojnë se ka doza të mjaftueshme.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Rastet e fundit me fruth kanë shtuar shqetësimin e prindërve dhe interesimin e tyre për vaksinimin e fëmijëve me MRP, duke bërë që të rritet numri i fëmijëve që marrin këtë vaksinë krahasuar me muajin e kaluar. Pediatrja Albina Bektashi Qerimi thekson rëndësinë e respektimit të kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe fton qytetarët që t'i immunizojnë fëmijët në kohë.
«I ftojmë prindërit që fëmijët në kohë të marrin vaksinën, janë të sigurta dhe nuk e shkaktojnë atë që ata e pretendojnë dhe janë mjeti më i sigurte për të mbrojtur dhe për të preventu kundër sëmundjes», deklaroi pediatrja, duke shtuar se numri ka shkuar në rreth 20 vaksina të marra brenda një dite. Sipas saj, ngatërrimi i simptomave mes varicelës dhe fruthit ka ndikuar te shqetësimi i prindërve, por bëhet fjalë për dy sëmundje të ndryshme infektive me pasqyra klinike të ndryshme dhe komplikime më të mëdha te morbili.
Deri më tani janë regjistruar pesë raste të konfirmuara me fruth, mes të cilave dy janë foshnja nën moshën dymbëdhjetë muaj që ende nuk e kanë arritur moshën e përshtatshme për t'u vaksinuar. Përballë kësaj situate, institucionet shëndetësore disponojnë katërmbëdhjetë mijë vaksina MRP dhe njoftojnë se mund të sigurohen sasi shtesë nëse paraqitet nevoja.