QKLL shpall tre fitues të Fondit 'Autorët e rinj' 2026
Fondi iu akordua tre shkrimtarëve për dorëshkrimet 'Rikrijimi', 'Duke pritur Margonë' dhe 'Rrëmujë'
TIRANË — Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) shpalli fituesit e edicionit 2026 të Fondit të Krijimtarisë Letrare 'Autorët e rinj', një nismë që synon të mbështesë dhe promovojë brezin e ri të shkrimtarëve shqiptarë. Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e Muzeut 'Shtëpia me Gjethe', drejtoresha e QKLL-së, Arta Marku, e cilësoi fondin si një investim për të ardhmen e letërsisë shqipe.
Juria, e përbërë nga Durim Taçi, Dhurata Shehri dhe Aida Baro, përzgjodhi tre fituesit mes pesë gjysmëfinalistëve të shpallur më herët. Çmimi iu akordua Fatma Memallit për dorëshkrimin 'Rikrijimi' (botimet TOENA), Florenc Zerellarit për dorëshkrimin 'Duke pritur Margonë' (botimet KANDRRA) dhe Enis Ismailit për dorëshkrimin 'Rrëmujë' (botimet DUDAJ).
Sipas jurisë, prurjet e këtij viti u dalluan për cilësi të lartë artistike dhe një frymë bashkëkohore, me dominim të prozës ndaj poezisë. Anëtarja e jurisë, Dhurata Shehri, vlerësoi si tipare të spikatura temat e identitetit, interioritetit, posttraumës individuale e sociale, shkrimin autoreferencial dhe ndërthurjen e reales me fiksionin.
Ajo vuri në dukje gjithashtu praninë e humorit të zi dhe trajtimin e ndjeshëm të errësirës e depresionit në veprat konkurruese. Gjatë ceremonisë, tre anëtarët e jurisë ndanë me të pranishmit përvojën e tyre në procesin e përzgjedhjes së fituesve dhe reflektimet mbi dorëshkrimet në garë.
Në një moment simbolik, shkrimtari Ylljet Aliçka i dorëzoi certifikatën njërit prej fituesve, si shenjë e lidhjes mes brezave të letërsisë shqipe, ndërsa fituesja e fondit në vitin 2025, Ena Bulku, dorëzoi certifikatën e radhës, si simbol i vazhdimësisë dhe komunikimit mes autorëve të rinj. Poetja Mimoza Ahmeti përshëndeti fituesit dhe autorët e rinj të pranishëm, duke vlerësuar rritjen e pranisë së tyre në jetën letrare dhe rëndësinë e mbështetjes për krijimtarinë e brezit të ri.
Burim: ATSH, https://ata.gov.al/2026/08/01/qkll-shpalli-fituesit-e-fondit-te-krijimtarise-letrare-autoret-e-rinj-2026/
— Redaksia ZHURMA


