Posta e Kosovës emeton pullë postare për “Akordet e Kosovës”
Posta e Kosovës dhe Radio Televizioni i Kosovës kanë emetuar një emision të jashtëzakonshëm pullash postare kushtuar festivalit të rikthyer.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, në bashkëpunim me Radio Televizionin e Kosovës ka emetuar një emision të jashtëzakonshëm pullash postare kushtuar festivalit “Akordet e Kosovës”. Pulla e veçantë postare dhe zarfi i Ditës së Parë u promovuan në natën e parë të festivalit, në praninë e një numri të madh artistësh, mysafirësh, spektatorësh dhe teleshikuesve përmes transmetimit të drejtpërdrejtë të RTK-së.
Ky emision filatelik shënon një dedikim të veçantë për jetën muzikore e artistike të vendit dhe nderon rikthimin e festivalit dikur me traditë të gjatë, duke sjellë përtej kufijve historinë, identitetin dhe trashëgiminë kulturore të Republikës së Kosovës. Posta e Kosovës ka falënderuar RTK-së për bashkëpunimin, duke uruar suksese festivalit, frymëzim artistëve dhe emocione të paharruara publikut.
Gjithashtu, institucioni postal ka ftuar qytetarët, bizneset dhe koleksionistët që ta blejnë këtë pullë postare për ta bërë pjesë të koleksioneve të tyre, duke kontribuar kështu në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore e artistike të vendit.