Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Xhafer Raqit
Autoritetet kërkojnë bashkëpunim për gjetjen e Xhafer Raqit, i zhdukur nga muaji korrik.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për gjetjen e Xhafer Raqit, i lindur në vitin 1948, i cili rezulton i zhdukur që nga data 2 korrik. Institucionet përkatëse kanë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore dhe operative për lokalizimin e tij që nga momenti i raportimit të rastit.
Në kuadër të kërkimeve, Policia ka vepruar në koordinim me prokurorinë kompetente, Njësitin për Kërkim-Shpëtim të FSK-së dhe në bashkëpunim me familjarët. Gjatë kësaj kohe janë intervistuar persona që mund të kenë informacione të rëndësishme, janë verifikuar hyrje-daljet në pikat kufitare dhe janë zhvilluar kërkime intensive në zonat që personi i frekuentonte zakonisht. Po ashtu, janë analizuar informacione lidhur me lëvizjet dhe vendndodhjen e mundshme të tij.
Pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve, Xhafer Raqi ende nuk është lokalizuar. Pas autorizimit nga prokurori i Shtetit, Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë informacione që mund të ndihmojnë në gjetjen e tij, t’i ndajnë ato me organet e rendit.