Ekipi mbrojtës i Kadri Veselit në Hagë ndërpren kontratat e dy avokateve
Avokati kryesor Rodney Dixon ka vendosur largimin e Annie O’Reilly dhe Kerrie Ann Rowan para nisjes së procedurave në Apel.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Para fillimit të procedurave të Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ekipi mbrojtës i Kadri Veselit ka pësuar ndryshime përmes largimit të dy bashkëavokateve, Annie O’Reilly dhe Kerrie Ann Rowan. Sipas njoftimit zyrtar të Zyrës së Regjistrit, vendimi për ndërprerjen e menjëhershme të kontratave të tyre u mor nga avokati kryesor i Veselit, Rodney Dixon, datën 13 tetor, ndërsa konfirmimi nga Regjistri erdhi një ditë më pas, më 14 tetor.
Në një letër dërguar Zyrës së Mbrojtjes, avokati Dixon ka theksuar se ky vendim nuk do të ndikojë negativisht te interesat e klientit të tij dhe as te kohëzgjatja e përgjithshme e procesit gjyqësor, ndërkohë që njoftimi për këto ndryshime tashmë i është dorëzuar Panelit të Apelit.