Petrit Halilaj fiton çmimin prestigjioz “Nasher Prize”
Artisti kosovar është laureat i edicionit të nëntë të çmimit ndërkombëtar në fushën e skulpturës bashkëkohore.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Artisti kosovar Petrit Halilaj është shpallur laureat i edicionit të nëntë të çmimit ndërkombëtar “Nasher Prize”, duke u vlerësuar për kontributin e tij në skulpturën bashkëkohore. Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka bërë të ditur këtë arritje, duke e cilësuar atë si një moment krenarie për kulturën e vendit dhe duke ftuar publikun në ceremoninë që do të organizohet në Dallas.
Veprat e Halilajt, i lindur në Kostërrc të Skenderajt, trajtojnë tema si kujtesa, lufta, identiteti dhe zhvendosja. Ai do të pranojë shpërblimin prej 100 mijë dollarësh, të cilin ka vendosur ta dhurojë për Fondacionin “Hajde!”, organizatë e themeluar prej tij dhe motrës së tij, Hana Halilaj, për mbështetjen e artit në Kosovë.
Ceremonia në Qendrën e Skulpturës Nasher në Teksas do të përfshijë një bashkëbisedim të artistit me kuratoren Dr. Leigh Arnold, si dhe ngjarjen festive të ndarjes së çmimit.