Pse qytetarët nisën peticion kundër qenve endacakë?
Kërkohet koordinim mes institucioneve qendrore dhe lokale për të garantuar sigurinë publike dhe trajtimin human të kafshëve.
PRISHTINË — Një grup qytetarësh ka nisur një peticion online për të kërkuar masa të menjëhershme institucionale ndaj problemit të qenve endacakë. Iniciuesit kërkojnë koordinim mes institucioneve qendrore dhe lokale, pasi politikat aktuale të komunave nuk kanë arritur të ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme.
Peticioni synon një qasje gjithëpërfshirëse që të garantojë sigurinë publike, por njëkohësisht trajtim dinjitoz dhe human të kafshëve. Organizatorët theksojnë se qëllimi nuk është cenimi i të drejtave të kafshëve, por implementimi i politikave efektive dhe dinjitoze.
Kërkesa u është drejtuar Presidencës, Kuvendit, Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Bujqësisë, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe të gjithë kryetarëve të komunave. Qytetarët mund ta mbështesin peticionin duke e nënshkruar atë online, me konfirmim të detyrueshëm përmes email-it.
Situata mbetet një nga sfidat më të mëdha për sigurinë publike, sidomos në kryeqytet. Raportimet e vazhdueshme tregojnë prezencë të lartë të qenve endacakë në hapësirat publike, ku qytetarët raportojnë vazhdimisht sulme nga tufat e qenve.
Rastet dramatike janë shënuar edhe brenda kampusit të QKUK-së. Në prill të këtij viti, një 15-vjeçare mbeti e lënduar nga sulme të tilla, ndërsa në shkurt, një doktoreshë shtatzënë u sulmua në oborrin e të njëjtit institucion.
Si reagim, Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Mentor Zejnullahu, ka iniciuar formimin e një shtabi emergjent. Ky hapi erdhi pas rritjes së rrezikut brenda kampusit, ku prania e qenve endacakë ka krijuar një situatë të pasigurt për pacientët dhe stafin.
Nga ana tjetër, Komuna e Prishtinës në mesin e vitit 2023 prezantoi një projekt ku kushdo që adopton një qen endacak merr subvencion prej 50 eurosh mujoras. Mirëpo, ky projekt solli problematika të reja, duke u perceptuar nga disa si një formë "biznesi" më shumë sesa zgjidhje humanizuese.
Burim: Kallxo
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.