Pesë adoleshentë plagosen rëndë nga sulmi me thikë në Angli
Një festë e Halloween-it në jug të Anglisë përfundon në dhunë, ku pesë adoleshentë pësojnë plagë të rënda nga thika.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Pesë adoleshentë kanë mbetur të plagosur rëndë pas një sulmi me thikë gjatë një feste të Halloween-it në Park Road në Chandler's Ford, pranë Eastleigh-t në jug të Anglisë. Ngjarja ka ndodhur të shtunën, pak pas orës 22:30, kur një grup personash të paidentifikuar dyshohet se kanë hyrë në ambientet ku po zhvillohej festa përpara se të ndodhnin goditjet.
Sipas Policisë së Hampshire, në mesin e të lënduarve janë tre djem të moshës 16-vjeçare dhe dy adoleshentë 17-vjeçarë, të cilët janë transportuar në spital për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Dëshmitarët okularë kanë treguar se në vendngjarje kanë mbërritur autoambulanca dhe një helikopter mjekësor, ndërsa një prej dëshmitarëve ka parë një person duke dalë me vrap nga banesa, i cili bërtiste se ishte goditur me thikë dhe po ndiqej nga dy persona.
Zona është rrethuar me një kordon sigurie ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve. Inspektorja detektive Elizabeth Pirie ka falënderuar komunitetin për durimin dhe bashkëpunimin. Ndërkohë, deputetja e Eastleigh, Liz Jarvis, ka shprehur solidaritetin me viktimat dhe familjet e tyre, duke u bërë thirrje qytetarëve që të shmangin spekulimet dhe shpërndarjen e informacioneve të pakonfirmuara.