Osmani: Mungesa e komunikimit me administratën Trump rrezik për sigurinë
Mungesa e komunikimit me Shtetet e Bashkuara rrezikon sigurinë kombëtare dhe interesat strategjike, thotë Vjosa Osmani.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë me nivelet më të larta të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, përbën një rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe interesat strategjike të Kosovës, ka deklaruar Vjosa Osmani. Ajo ka theksuar se marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është çështje protokolli, por një element thelbësor për sigurinë e vendit.
Sipas saj, ky boshllëk i krijon më shumë hapësirë Serbisë për të përhapur narrativa të rreme kundër Kosovës. Osmani ka shtuar se raportet me aleatin jetik nuk mund të trajtohen si çështje dytësore, pasi pa një partneritet të fortë politik nuk mund të garantohen integrimi euroatlantik, mbrojtja e së vërtetës historike për luftën çlirimtare, sovraniteti dhe shtetësia.
“Mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë, përmbajtësor dhe strategjik me nivelet më të larta të Administratës Trump: Presidentin Trump, Sekretarin Rubio dhe kabinetin politik të Presidentit, përbën një rrezik serioz për sigurinë tonë kombëtare dhe interesat tona strategjike”, ka deklaruar ajo.