Operacioni “Dark Capital”: Sekuestrohen mbi 10 milionë euro pasuri
Policia e Tiranës finalizon operacionin pasuror ndaj 51-vjeçarit të dyshuar për veprimtari të ndryshme kriminale, ku bie në shënjestër edhe sektori farmaceutik.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
TIRANË — Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Dark Capital” në kuadër të një hetimi pasuror, duke sekuestruar pasuri me vlerë mbi 10 milionë euro në pronësi të një 51-vjeçari dhe personave të lidhur me të. Gjatë këtij operacioni të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Tiranës për pasuritë e shtetasit I. Sh., alias I. P.
Sipas njoftimit të policisë, mes pasurive të sekuestruara përfshihen 20 pasuri të paluajtshme, ku 14 janë në emër të 51-vjeçarit dhe 6 në emër të bashkëshortes së tij, shtetases H. Sh. Po ashtu, janë sekuestruar 6 subjekte tregtare, përfshirë biznese në sektorin farmaceutik, si dhe 8 automjete, të cilat do të kalojnë në administrimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Nga hetimet e kryera dyshohet se 51-vjeçari është përfshirë ndër vite në veprimtari të ndryshme kriminale, ndër të cilat përmenden trafikimi i narkotikëve, shfrytëzimi i prostitucionit, rrëmbimi dhe heqja e paligjshme e lirisë, si dhe përfitimi i mallrave të vjedhura. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme në Tiranë.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar