Një i lënduar dhe dëme të reja nga erërat e fuqishme në vend
Policia apelon për kujdes teksa erërat e forta shkaktojnë lëndime në Ferizaj, rrëzojnë sera në Kamenicë dhe ndërpresin rrymën.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
FERIZAJ — Një person është lënduar si pasojë e erërave të fuqishme që kanë përfshirë territorin e Ferizajt, ku krahas dëmeve materiale në biznese, ndërtesa publike dhe automjete është ndalur edhe rryma me kërkesë të Policisë pas avarive në rrjet. Ekipet policore, ato emergjente dhe të komunës kanë dalë në terren për të ndërhyrë në hapësirat publike dhe rrugë, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme. Më parë, situata e krijuar nga moti i ligë kishte sjellë rrëzimin e semaforëve dhe drunjve në disa akse rrugore.
Ndërkohë, dëme materiale janë shënuar edhe në fshatin Ruboc të Kamenicës, ku një qytetar ka raportuar se i janë rrëzuar dy sera bujqësore me një sipërfaqe prej rreth 300 metrash katrorë. Vlera e këtyre dëmeve ende nuk është bërë e ditur, ndërsa erërat e fuqishme në shkallë vendi kanë lënë pas edhe kulme shtëpish të dëmtuara dhe objekte të tjera të prekura.