Ndeshja Kosovë-Izrael: Ndërprerje trafiku dhe masa sigurie gjatë lëvizjes së eskortës
Policia e Kosovës ka zatuar plan operativ për ndeshjen ndërkombëtare të Ligës së Kombeve mes Kosovës dhe Izraelit.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Gjatë lëvizjes dhe qarkullimit të eskortës së ekipit mysafir, trafiku rrugor do të përballet me kufizime apo ndërprerje të përkohshme, ndërsa qytetarët janë ftuar për mirëkuptim. Plani operativ i Policisë së Kosovës përfshin aktivitete sigurie që nga ardhja e skuadrës, duke siguruar itinerarin e lëvizjes dhe të stafit që po qëndron në vend.
Ndeshja ndërkombëtare e futbollit në kuadër të Ligës së Kombeve mes Kosovës dhe Izraelit zhvillohet në kryeqytet, ku autoritetet do të bashkëpunojnë me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe kompanitë e sigurisë para, gjatë dhe deri në përfundim të takimit. «Policia e Kosovës, në zbatim të detyrave dhe autorizimeve ligjore, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë dhe parandalimin e çfarëdo incidenti të mundshëm», njoftohet nga autoritetet.
Tifozët janë thirrur të paraqiten me kohë në stadium, të shmangin mjetet e rrezikshme apo gjësendet e palejuara dhe të mbajnë me vete biletat e dokumentet identifikuese. Për çdo rast apo informacion, qytetarët mund të kontaktojnë numrin emergjent 192.