Ndalen automjetet e rënda në rrugën Gostivar-Kërçovë përmes Strazhës
Vendoset ndalim qarkullimi për automjetet e rënda në aksin Gostivar-Kërçovë përmes qafës malore të Strazhës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
GOSTIVAR — Ndërmarrja Publike «Rrugët e Maqedonisë» njoftoi se është vendosur ndalim për qarkullimin e automjeteve të rënda në rrugën Gostivar-Kërçovë, përmes qafës malore Strazhë. Kufizimi ka hyrë në fuqi në orën 18:00, ndërsa paraprakisht nga e njëjta ndërmarrje ishte bërë e ditur se rrugët në mbarë vendin mbeten të kalueshme dhe ekipet përkatëse po punojnë vazhdimisht për mirëmbajtjen e tyre.
Sipas Ndërmarrjes Publike «Rrugët e Maqedonisë», «të gjitha ekipet e kujdestarisë janë angazhuar në kalimet kritike. Gjithashtu, të gjitha makineritë janë në gatishmëri, ndërsa janë siguruar numri i nevojshëm i punëtorëve dhe sasitë e duhura të kripës dhe zhavorrit, me qëllim të garantimit të qarkullimit të pandërprerë dhe të sigurt».
Drejtuesit e mjeteve janë thirrur që të bëjnë kujdes gjatë ngasjes, të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve ekzistuese në rrugë dhe të kontrollojnë që automjetet të kenë të vendosura pajisjet dimërore të detyrueshme. Autoritetet gjithashtu u kanë rekomanduar shoferëve që drejtimin e automjeteve ta përshtatin me situatën e motit.



