Muharemi: Pensionistët do të kenë më shumë para me buxhetin e 2027-ës
Këshilltari socialist deklaron se masat e reja buxhetore do të ulin shpenzimet familjare për pensionistët.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Këshilltari i Partisë Socialiste në Bashkinë e Tiranës, Alfred Kika Muharemi, i ftuar në emisionin «Off the Record» në A2CNN, ka deklaruar se pensionistët do të përfitojnë më shumë të ardhura dhe lehtësim të shpenzimeve përmes masave të parashikuara në buxhetin e vitit 2027. Sipas tij, kombinimi i rritjes së pensioneve, indeksimit, uljes së TVSH-së për produktet e shportës dhe rimbursimit të barnave do të ndikojë drejtpërdrejt në buxhetin e familjeve në pension.
Duke folur për shifrat, ai argumentoi se një pensionist që shpenzon 20 mijë lekë të reja në muaj për ushqime do të ketë një rënie të kostos me 6 mijë lekë të reja, ndërsa dyfishimi i pensionit së bashku me indeksimin shtojnë 3700 lekë. «Nëse një pensionist bën konsum 20 mijë lekë të reja për ushqim, automatikisht me buxhetin e ri të 2027-ës ka direkt rënie 6 mijë lekë të reja. I ka kursim. Marrim edhe dyfishimin bashkë me indeksimin, që është 3700 lekë, do ta ketë plus 10 mijë lekë të reja», u shpreh ai.
Këshilltari shtoi se kursimet do të prekin edhe fushën e energjisë dhe derivateve. «Do të marrim edhe uljen e konsumit, edhe për gazin apo për naftën që mund t'i përdorë për shtëpi, që japin efekte prodhimi, do të kemi prapë një rënie 3 mijë lekë të reja», deklaroi Muharemi, duke shtuar se bashkë me rimbursimin e barnave, kursimi total arrin në 11 deri në 12 mijë lekë të reja më pak se shpenzimet aktuale.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar