Ministria e Financave ndryshon udhëzimin për pastrimin e parave
Udhëzimi i ri administrativ përcakton kërkesa shtesë për raportimin e strukturës institucionale dhe burimet e alokuara.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Ministria e Financave ka publikuar në Gazetën Zyrtare Udhëzimin Administrativ (MF) Nr. 03/2026, përmes të cilit plotësohet dhe ndryshohet akti i vitit 2018 për vlerësimin e rrezikut kombëtar nga pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit. Dokumenti i ri është nënshkruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe përcakton kërkesa shtesë për raportimin e strukturës institucionale e të procedurave që lidhen me parandalimin e këtyre veprave.
Sipas ndryshimeve të bëra përmes nenit 3 të udhëzimit të ri, në aktin bazë janë shtuar dy paragrafë që rregullojnë raportimin për strukturën institucionale dhe procedurat e përgjithshme të sistemit. Këtu përfshihen autoritetet tatimore, Njësia e Inteligjencës Financiare dhe prokuroritë, së bashku me të dhënat për burimet njerëzore e financiare të ndara për këto institucione, për aq sa informacioni është në dispozicion. Gjithashtu, përcaktohet raportimi për përpjekjet kombëtare dhe burimet e alokuara në këtë fushë, duke përfshirë buxhetin e ndarë dhe numrin e punonjësve.
Ndryshimet synojnë plotësimin e udhëzimit të mëparshëm dhe transpozimin e plotë të Direktivës së Bashkimit Evropian 2015/849, të ndryshuar me Direktivën (BE) 2018/843, të cilat lidhen me parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.