Memeti: Jemi të gatshëm për dialog me qeverinë e re të Serbisë
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë flet për pritshmëritë e Luginës së Preshevës dhe platformën e koalicionit.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Visar Memeti, ka ndarë përshtypjet nga përvoja e tij e parë si ligjvënës, duke e quajtur hyrjen në kuvend një ngjarje të veçantë. Gjatë një interviste televizive, ai foli për zhvillimet politike në Beograd dhe formimin e institucioneve të reja. Memeti theksoi se «ka qenë debat i stërzgjatur, siç e ceka, tre ditë të lodhshme, mirëpo debat i stërshterur, debat koti, vetëm e vetëm për të prolonguar votimin e kryetarit të ri të Kuvendit».
Lidhur me pritshmëritë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës ndaj qeverisë së dalë nga fitorja e listës studentore, Memeti deklaroi se përfaqësuesit shqiptarë mbeten të hapur për bisedime. «Ne e kemi një platformë, e kemi nënshkruar si koalicion shqiptar dhe asaj platforme i qëndrojmë mbrapa. Jemi të gatshëm të ulemi, të bisedojmë, të bashkëpunojmë, deri diku, për qëllimet dhe të drejtat që kërkojmë prej një kohe të gjatë», u shpreh ai, duke shtuar se deri tani premtimet për pakicat mbeten të përgjithshme dhe pa angazhime konkrete, ndërsa shqiptarët nuk kishin përfaqësues në listën studentore.
Sa i përket pranisë së Aleksandër Vuçiçit në parlament pas katërmbëdhjetë vitesh në pushtet, deputeti shqiptar u shpreh se kishte pritur tërheqjen e tij dhe se kjo prani ndikoi në zgjatjen e zgjedhjes së kryetarit. Memeti shtoi se «unë mendoj se disa prokurorë, të cilët e kanë kryer punën e tyre me dinjitet, pas humbjes së Aleksandër Vuçiçit tashmë i kanë duart më të lira dhe janë duke e kryer punën aty ku ua kishte ndaluar partia e Aleksandër Vuçiçit».