Mbyllet protesta e studentëve në Tiranë pas pesë orësh
Protesta e dytë e studentëve brenda javës në kryeqytet u mbyll pas pesë orësh, ndërsa policia angazhoi rreth 700 efektivë.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
TIRANË — Ka përfunduar pas pesë orëve protesta e dytë e thirrur brenda javës nga studentët në Tiranë. Tubimi nisi para Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit dogjën koshat e mbeturinave dhe më pas marshuan drejt Zogut të Zi dhe zonës së 21 Dhjetorit. Gjatë këtij marshimi, protestuesit hoqën kangjellat nga trotuaret për t'i vendosur në mes të rrugës dhe i vunë flakën tabelave të reklamave, ndërsa gjatë lëvizjes drejt Kryeministrisë u shënuan edhe tensione pranë Kryesisë së Kuvendit.
Në këtë tubim nuk u panë përfaqësues të opozitës, pasi studentët kanë refuzuar vazhdimisht përfshirjen e tyre, gjë që solli edhe vendimin për të mos thirrur mbështetje partiake. Për mbarëvajtjen e rendit dhe garantimin e sigurisë gjatë protestës, autoritetet policore angazhuan rreth 700 efektivë në terren, të cilët shoqëruan marshimin dhe u bënë thirrje të vazhdueshme protestuesve përmes megafonit për të liruar qarkullimin e automjeteve.