Martirizimi i dy familjeve të Terziajve gjatë viteve 1846-1848
Përkujtohet 180 vjetori i martirëve të Karadakut dhe vuajtjet e familjeve të Terziajve.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Në 180 vjetorin e martirëve të Karadakut, në përkujtim të dy familjeve nga fshati Terziaj, i cili atë kohë quhej Karadak, kujtohen ngjarjet e dokumentuara në librin e Gjergj Gjergjit-Gashit, “Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848”. Sipas të dhënave, dy familje të Terziajve, bashkë me anëtarë të familjeve të fshatrave Stubëll, Binçë dhe Vërnakollë, u internuan në Azi të Vogël në vitin 1846, për shkak se ishin deklaruar publikisht katolikë para kajmekamit të Gjilanit, Maliq bej Gjinollit.
Në monografinë e Gjergj Gjergjit-Gashit jepen detajet për fatin e anëtarëve të këtyre familjeve gjatë periudhës së internimit. Nga familja e parë, e Dokë Karadakut, përfshihen anëtarë si Toma i Dokut, Marku i Tomës, Katarina e Tomës, Prena bashkëshortja e Dokut e cila vdiq nga të rrahurat, si dhe Tuna, Kata dhe Gjoni që vdiqën në Muhaliq. Nga familja e dytë, e Ujk Karadakut, përfshihen Lini i Ujkut, Marta bashkëshortja e Ujkut, Milica, Prena dhe vajzat e Ujkut, disa prej tyre gjithashtu vdiqën në Muhaliq.
Sipas shënimeve, nga 15 anëtarë të internuar në Muhaliq të Turqisë nga familja e parë, katër veta kthehen të gjallë në vendlindje dhe katër vdesin në Muhaliq, ndërsa nga familja e dytë katër anëtarë kthehen të gjallë në atdhe dhe tre vdesin në Muhaliq. Vuajtjet e këtyre familjeve dokumentohen gjerësisht në monografinë e autorit.