Kuvendi i Kosovës nis seancën plenare me shtatë pika në rend ditë
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka nisur me pjesëmarrjen e 83 deputetëve dhe me shtatë pika në rendin e ditës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën plenare. Në rendin e ditës janë gjithsej shtatë pika.
Në rendin e ditës përfshihet miratimi i procesverbaleve të seancave të mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës, si dhe pyetjet parlamentare. Pikat e tjera përfshijnë përzgjedhjen e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës për komunitetin shqiptar, komunitetin serb dhe komunitetet joshumicë.
Gjithashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë propozimin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit në shqyrtimin e dytë.