Maqedonia e Veriut shënon rritje të numrit të imigrantëve gjatë vitit 2025
Enti Shtetëror i Statistikës raporton mbi 7 mijë imigrantë të regjistruar gjatë vitit 2025, pothuajse trefish më shumë se në vitin 2023.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Maqedonia e Veriut po shënon rritje të numrit të të huajve që vijnë për të jetuar dhe punuar në vend. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 7.032 imigrantë, që përbën një shifër pothuajse trefish më të lartë krahasuar me vitin 2023, kur ishin regjistruar 2.325 persona.
Në krye të listës së shteteve prej nga vijnë imigrantët renditet Turqia me 3.966 persona, duke përbërë më shumë se gjysmën e të ardhurve, e ndjekur nga India me 804 persona, Bangladeshi me 552 dhe Kosova me 449 persona. Numër të konsiderueshëm imigrantësh ka siguruar edhe Nepali me 430 persona, ndryshim i madh ky krahasuar me vitin 2023 kur kishte vetëm dy shtetas nga ky vend.
Dhjetëshja e vendeve të origjinës plotësohet nga Shqipëria me 278 persona, Serbia me 255, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 121, Gjermania me 102 dhe Bosnja e Hercegovina me 75 persona. Statistikat dëshmojnë se vendi po tërheq gjithnjë e më shumë persona nga rajoni, vendet aziatike dhe Evropa Perëndimore.