Maqedonci, Jashari dhe Schulte-Borghoff vizitojnë ekipet mjekësore të FSK-së
Delegacioni zyrtar ka ndjekur nga afër ecurinë e procesit të validimit të kapaciteteve mjekësore Role 1 të FSK-së.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Thomas Schulte-Borghoff, kanë zhvilluar një vizitë me dy ekipet mjekësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Këto ekipe ndodhen aktualisht në proces të validimit të kapaciteteve mjekësore Role 1.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kësaj vizite delegacioni u njoftua nga afër me ecurinë e procesit të validimit, përgatitjet profesionale dhe kapacitetet operacionale të ekipeve mjekësore. Ky proces po realizohet nga Qendra e Ekselencës së NATO-s për Mjekësinë Ushtarake.
Në njoftim theksohet se ky hap është i rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve mjekësore, ngritjen e standardeve profesionale dhe përmbushjen e kërkesave të NATO-s. Po ashtu, kjo dëshmon përkushtimin për zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me vendet aleate.