MAPL vijon konsultimet për Strategjinë e Vetëqeverisjes Lokale
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal po zhvillon takime për hartimin e dokumentit të ri.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal po bashkëpunon me përfaqësuesit e komunave dhe partnerët ndërkombëtarë për të përgatitur Strategjinë e Vetëqeverisjes Lokale 2027–2031. Gjatë takimit të fundit, ku mori pjesë zëvendësministri Agon Batusha bashkë me përfaqësues të OSBE-së, u trajtuan tema që lidhen me avancimin e qeverisjes lokale.
Diskutimet u përqendruan te rritja e transparencës dhe e llogaridhënies, gjithëpërfshirja dhe forcimi i demokracisë lokale. Pjesëmarrësit theksuan se ky dokument duhet të mbështetet në nevojat dhe sfidat reale të komunave, duke përcaktuar objektiva të qarta, masa konkrete dhe mekanizma efektivë për zbatimin e tyre.
Gjithashtu, u vu theksi te zhvillimi i kapaciteteve institucionale dhe profesionale të komunave dhe te rritja e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në proceset vendimmarrëse. Nga ana e saj, MAPL ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me komunat dhe partnerët për të garantuar një proces gjithëpërfshirës të hartimit të strategjisë.